Tahiri: Për me ndodh një hetim i pavarur, është e domosdoshme të shkarkohet ministrja Hajdari

Tahiri: Për me ndodh një hetim i pavarur, është e domosdoshme të shkarkohet ministrja Hajdari

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot ka mbajtur konferencë për media ku kryetari i Grupit Parlamentar i kësaj partie, Besnik Tahiri, ka shprehur shqetësimin për siç tha ai, situatën problematike në të cilën po kalon vendi.

“Jemi në një situatë jashtëzakonisht problematike, një situatë shumë serioze e cila përshkruhet me dobësim të Kosovës në të gjitha rrafshet, si në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm. Një situatë e cila karakterizohet me krizë pas krize e skandal pas skandali, e cila po reflekton në varfërim të skajshëm të shumë familjeve”, është shprehur Tahiri.

Duke folur për çështjen e rezervave shtetërore, Tahiri tha se shkarkimi i ministres Hajdari është i domosdoshëm që të zhvillohet një hetim i pavarur.

“Shqetësuese është sulmi që i bëhet gjyqësorit dhe prokurorisë nga ana e qeverisë, në tentim për të mbuluar skandalin me vjedhjen e rezervave shtetërore. Tani më është fakt që 52.5 tonë miell nuk kanë ardhur në Kosovë, e shumë sasi vaji mungon, ndërkaq dëmi i pretenduar është mbi 600 mijë euro. Për këtë skandal, për këtë vjedhje Qeveria e Kosovës hesht, ndërkaq e akuzon gjyqësorin e prokurorine. Ky pushtet nuk i beson shtetit të vet. Këta njerëz synojnë të krijojnë sistem të vetin, një sistem paralel. Për me ndodh një hetim i pavarur, është e domosdoshme të shkarkohet ministrja Hajdari”, ka thënë ai.

“Është tejet e habitshme se si sillet Qeveria edhe me çështje tjera. Është kah kontestohet pavarësia e Kosovës nga një shtet armiqësor, e nuk ka asnjë reagim nga institucionet. Kjo qeveri ka humbur rrugën. Këta njerëz duhet të ikin sa me shpejt. Ne presim që me nisjen e sesionit vjeshtor, që në ditën e parë të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme për shkarkimin e kësaj qeverie”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, Ministria e Arsimit me vendimin për mossigurimin e librave shkollorë për nxënësit ka dëmtuar nxënësit dhe ka rënduar gjendjen financiare të shumë familjeve.

“Vendimi i MAShT për refuzimin për t’i siguruar librat për nxënësit, është edhe një fakt që kjo qeveri nuk ka synim t’i ndihmojë njerëzit. Ky vendim ka qëllim krijimin edhe të nje krize të re, me e dëmtu buxhetin e shume familjeve. Kjo krize ndalet vetëm me shkarkimin e kësaj qeverie”, është shprehur Tahiri.

Related Articles