Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri ka reaguar ndaj Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, për shkak të mos zgjidhjes së problemit të furnizimit me energji elektrike dhe çështjes së grevës në sektorin publik.
Në një postim në Facebook, Tahiri ka ironizuar me sloganin “Erdhi dita” të Lëvizjes Vetëvendosje para se të vinte në pushtet duke thënë se e vetmja ditë e ardhur është e atyre që qeverisin në terr.
“Rrymë JO, projeksione për krizën që pritet gjatë dimrit JO. Rroga me rritje JO, zgjidhje JO. Opsione për menaxhim JO. Pasojat po u faturohen atyre që u duhet drita, shumë prej tyre janë nga ata që i besuan mashtrimit ‘Erdhi Dita’. E vetmja ditë e ardhur është e atyre që qeverisin në terr! Dijeni një punë, situata është kritike, edhe më kritike sa që ju po e shihni! Po duket që pushteti ju verboi”.
Ndryshe, edhe sot gjatë ditës kanë vazhduar reduktimet me energji elektrike, ndërsa si pasojë e grevës nesër nuk pritet të fillojë procesi i rregullt mësimor në shkollat e Kosovës.