Abelard Tahiri, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, duke thënë se, ky vendim është përpjekje e paramenduar e Albin Kurtit, për krijuar një krizë identitare ndaj atyre që punojnë për çdo ditë për rend dhe ligj.
Kështu ka thënë Tahiri me anë të postimi në Facebook, ku ka shtuar edhe se, përveç dimensionit social, ku në kohë inflacioni, një qeveri e përgjegjshme do të duhej të rriste pagat e jo t’i ulte ato.
Postimi i plotë:
Ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk ka të bëjë as me buxhetin, as me kursimin dhe as me ligjshmërinë. Ky vendim është përpjekje e paramenduar e Albin Kurtit, për të krijuar një krizë identitare ndaj atyre që punojnë për çdo ditë për rend dhe ligj.
Në së paku 10 vitet e fundit, institucionet e Kosovës kanë ndërtuar një perspektivë ku organet e drejtësisë punojnë të pavarura, të pandikuara, të paanshme, që zbatojnë ligjin dhe drejtësinë siç e përcakton Kushtetuta, dhe që për punën e tyre marrin kompensim adekuat e meritor. Sot, kjo perspektivë u përmbys, nga kryeministri që po përmbysë çdo gjë të mirëfilltë, përballë mësymjes jo konvencionale me të cilën ai i është qasur qeverisjes.
Përveç dimensionit social, ku në kohë inflacioni e stagnimi ekonomik, një qeveri e përgjegjshme do të duhej të rriste pagat e jo t’i ulte ato, madje jo vetëm për gjyqtarë e prokurorë por për të gjithë sektorin publik, ky vendim ka edhe një dimension kritik institucional e kushtetues, sepse përmes tij është hedhur baza për regres në besimin e paanshmërisë, përkushtimit dhe drejtësisë institucionale, si dhe janë cenuar parimet kushtetuese të pavarësisë së pushtetit të tretë. Përpjekja për ta subordinuar këtë pushtet përmes uljes së pagave dhe lojës me paga, në fakt është jo veç përpjekje. Është në radhë të parë përndjekje. Kjo s’mund dhe s’duhet të lejohet.