Deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, sërish ka pyetur se për çfarë krime të luftës po synon të hetojë kryeministri Albin Kurti, pasi që në projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, periudha e hetimeve parashihet të shtrihet deri më 31 dhjetor të vitit 2000.
“Si mund të kryhen ‘krime të luftës’ pasi që lufta të ketë marrë fund?’, ka pyetur Tahiri.
Deputeti tha se përpjekja e Qeverisë Kurti për t’i hetuar krimet e luftës deri në fund të vitit 2000, i shkon përshtati atyre që kanë kryer gjenocid në Kosovë.
“Serbia ka kryer krime lufte e gjenocid në Kosovë deri në qershor të vitit 1999. Hulumtimi i krimeve të luftës duhet të vazhdojë e të institucionalizohet. Por përpjekja e Qeverisë së Albin Kurtit, për ta bërë një ligj që synon të hetojë e hulumtojë “krimet” që ndërlidhen me luftën deri me datën 31 dhjetor, 2000, është përpjekje që i shkon përshtat pikërisht atyre që janë përgjegjës për gjenocidin në Kosovë”, u shpreh Tahiri.
“31 dhjetori i 2000-tës, është epitomë e Serbisë që përpiqet t’ia ndërrojë kahjen historisë dhe të gjejë amnisti për gjenocidin e kryer. Ne do ta kundërshtojmë me çdo mjet politik tjetërsimin e historisë përmes ligjeve të dëmshme, antihistorike e antikombëtare”, përfundoi Tahiri.
Kritikat e njëjta Tahiri i bëri edhe dje në seancën plenare ku u miratua në lexim të parë ky projektligj, ku edhe eskaloi në ofendime debati mes Tahirit e Kurtit, me këtë të fundit që e quajti Tahirin “deputeti me shurdhues”.