Tahiri: Protestojmë edhe ndaj Qeverisë, nuk pagoi plotësisht mbrojtjen e krerëve të UÇK-së

Tahiri: Protestojmë edhe ndaj Qeverisë, nuk pagoi plotësisht mbrojtjen e krerëve të UÇK-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj mos-pagesës së plotë të mbrojtjes juridike për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Tahiri përmes një postimi në Facebook e ka quajtur këtë veprim “një padrejtësi të rëndë dhe një akt të vetëdijshëm braktisjeje”.

“Sot, qytetarët që do të protestojnë në shesh kundër kësaj padrejtësie, do të ngrejnë zërin edhe kundër një padrejtësie tjetër të rëndë – asaj ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mos-pagesa e plotë e mbrojtjes së tyre në Gjykatën Speciale është një turp institucional dhe një akt i vetëdijshëm braktisjeje. Për këtë padrejtësi janë drejtpërdrejt përgjegjës Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu – të cilët kanë refuzuar të përmbushin obligimet ligjore dhe morale ndaj mbrojtjes së atyre që luftuan për lirinë tonë. Kjo është një njollë që koha vetëm do ta thellojë – për Albinin, për Albulenën dhe për të gjithë ata që heshtin përballë kësaj padrejtësie”, ka deklaruar Tahiri, duke i akuzuar drejtuesit institucionalë për heshtje dhe papërgjegjësi.

Ai gjithashtu shprehu mbështetjen për protestën e qytetarëve që sot do të mblidhen në shesh për të ngritur zërin ndaj kësaj padrejtësie, si dhe ndaj proceseve që po zhvillohen kundër ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.

“Por dielli do të lind përsëri. Dhe çlirimtarët tanë do t’i kemi në Kosovën tonë të lirë e të pavarur – aty ku e meritojnë të jenë!”, përfundoi Tahiri.

Related Articles