Tahiri: S’mund ta bëjmë Kosovën më mirë, nëse bëjmë koalicion me VV-në

Tahiri: S’mund ta bëjmë Kosovën më mirë, nëse bëjmë koalicion me VV-në

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka mohuar kategorikisht çdo mundësi për një bashkëpunim politik mes partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke përjashtuar mundësinë e një koalicioni të përbashkët edhe pas zgjedhjeve të ardhshme.

Tahiri theksoi se PDK-ja është e bindur që me Vetëvendosjen nuk mund të arrihet një përmirësim i qeverisjes në vend.

Ai kritikoi ashpër performancën e qeverisë aktuale dhe e vuri theksin te pasojat që, sipas tij, Kosova i ka pësuar gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes.

“Jemi të bindur që me VV-në në koalicion nuk mund të bëjmë këtë vend më mirë. Tashmë dy vjet jemi nën sanksione të Bashkimit Evropian, dallimet tona në qeverisje janë jashtëzakonisht të mëdha. Përgjigjja jonë është e prerë: jo. Ne jemi të interesuar ta çojmë Vetëvendosjen në opozitë”, deklaroi ai, për Klan Kosova.

Tahiri gjithashtu theksoi se qeveria aktuale ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve themelore ndaj qytetarëve, duke përmendur ngecjet në rritjen e pagave, pensioneve dhe pamundësinë për të hequr sanksionet ndërkombëtare.

“Me VV-në s’mundesh as me i rritë pagat, as pensionet, as s’mundesh me i hjek sanksionet. Qysh me qeverisë me ta?”, shtoi ai.

Këto deklarata të Tahirit vijnë në një kohë kur skena politike në Kosovë nuk po mund të gjejë zgjidhje për krizën e shkaktuar me moskonstituimin e Kuvendit.

Deputetët dështuan sot për të nëntën herë radhazi në përpjekjen e tyre për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Më 1 maj, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kërkoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë, gjë që u refuzua nga partitë e tjera.

Procesi ka ngecur prej javësh pasi partia fituese, LVV, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Related Articles