Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka mbajtur një deklaratë të fortë në lidhje me debatet për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit, duke e quajtur këtë situatë një super-skandal të qeverisë.
Ai theksoi se janë thirrur në Kuvend për të zbardhur këtë çështje që, sipas tij, është në interes të publikut dhe zbatimit të ligjit, raporton Gazeta Enigma.
“Jemi mbledhur për të diskutuar një skandal që është i shumti në këto vite,” tha Tahiri.
Deputeti i AAK-së, shtroi pyetje kritike për procesin e vendimmarrjes në Qeveri, duke përmendur ndikimin e strukturave joformale dhe të partisë në shpërndarjen e buxhetit.
“Struktura joformale vendos për paratë e taksapaguesve të Kosovës. A kuptoni se kjo qeveri ka ardhur në pushtet me mashtrim?” tha ai, duke aluduar në mesazhet e publikuara mes Dejona Mihalit dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Tahiri shprehu shqetësimin se vendimmarrjet po bëhen nga individë pa funksione publike, duke theksuar se të gjitha veprimet tregojnë se kjo qeveri po i kthen besimin e qytetarëve në të mirë partiake, jo në interesin publik.
Ai gjithashtu paralajmëroi se kjo qeveri do të ikë më 9 shkurt, duke shtuar se “edhe fëmija në djep e di se kur ik dikush, është në faj.”
Tahiri kritikoi qeverinë për skandalet korruptive dhe për lidhjet me Listën Serbe, duke theksuar se nuk kanë argumente për të mbrojtur veprimet e tyre.
“Kjo qeveri do të ikë njëherë e përgjithmonë,” përfundoi ai./GazetaEnigma/