Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është një “Aferë e thellë” që shtrihet në disa nivele, deri tek zyret qendrore të pushtetit.
Me anë të një postimi në Facebook, ai ka thënë se çdo ditë e më shumë që Berishaj qëndron në pushtet, nënkupton implikim të pushtetit në këtë aferë.
Ai tha se nëse ai nuk dorëhiqet, shkarkimi i tij është domosdoshmëri.
Postimi i plotë i Tahirit në Facebook:
Martin Berishaj, nuk është rastësisht ambasador i Kosovës dhe as thjeshtë “një ambasador i Kosovës”. Ai është parasëgjithash, një “aferë e thellë” me multi-protagonistë që shtrihen në disa vende, e arrijnë deri tek zyrat qendrore të pushtetit në vendin tonë.
Përkundër vullnetit e gatishmërisë për t’i shkuar deri në fund, në Komisionin Hetimor Parlamentar nuk kishim as mandat e as instrumente për të dëshmuar strukturën e thellë mafioze e lidhjet para politike dhe implikimet që lidhen me “Aferën Berishaj”, por e njëjta, tash figuron se është duke u hetuar penalisht në disa vende.
Çdo ditë e më shumë që z. Martin Berishaj qëndron në postin e një zyrtari të lartë të shtetit, si ambasador i Kosovës në Kroaci, është implikim i vetëdijshëm i pushtetit dhe shtetit në këtë aferë. Dorëheqja e tij, nuk është më çështje etike. Nëse jo dorëheqja, shkarkimi i tij është domosdoshmëri, për t’i hapur rrugë zbardhjes së të vërtetës rreth kësaj afere.