Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri ka reaguar lidhur me siç thotë ai, ‘urdhërin’ nga Ministria e Financave dhe ajo e Arsimit për Komunat në mënyrë që këto të fundit t’i dërojnë listat e punëtorëve grevistë.
Kështu ka shkruar Tahiri përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Urdhëri’ për Komunat nga Ministria e Financave dhe Arsimit, lidhur me listat e punëtorëve që janë në grevë, është shkelje e autonomisë, tentim shantazhi e frikësimi dhe veprim që bie në kundërshtim me parimet e ndarjes së pushteteve”, ka shkruar Tahiri.
Postimi i plotë:
‘Urdhëri’ për Komunat nga Ministria e Financave dhe Arsimit, lidhur me listat e punëtorëve që janë në grevë, është shkelje e autonomisë, tentim shantazhi e frikësimi dhe veprim që bie në kundërshtim me parimet e ndarjes së pushteteve.
Autonomia e komunave është e përcaktuar me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, si dhe Kushtetutë e Ligjin për Vetëqeverisje Lokale (Neni 17), ku janë përcaktuar kompetencat vetanake të komunave.
Ngjashëm, me këtë Ministria e Arsimit, ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese (Faqe 46-49), për rastin e shkollave në Komunën e Kamenicës. Në vend të komunikimit, konsultimit dhe bashkëpunimit mes dy niveleve të qeverisjes, shkresat në formë ‘urdhërash’, e konfliktet ndër-institucionale ndërtojnë praktika të rrezikshme.
Porosia ime për qeverinë është e thjeshtë: nuk jeni në tokë të bukës, nuk po e kuptoni se është e domosdoshme, që të kthehet dialogu mes partnerëve social, e që kjo formë e presionit të mos shtrihet edhe tek mekanizmat tjerë.