Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se viti 2023 do të mbahet mend si vit kur qeveria është munduar me të gjithë mekanizmat e saj të kapë institucionet e pavarura, në veçanti gjyqësorin.
Tahiri në konferencën e fundvitit, ka thënë se viti 2023 ishte vit që e varfëroi qytetarin.
“Viti 2023 do të mbahet në mend si vit i cili e varfëroi secilin qytetar të Kosovës, pa dallim. Vit i cili e ngriti pasigurinë në vend, që nga aspekti social e deri tek ai i sigurisë”, ka thënë Tahiri.
Ai poashtu ka thënë se 2023-a ishte vit i eksperimentimit.
“Ishte vit i eksperimentimit të shumicës së ministrave dhe dikasterëve që udhëheqin, duke e e kthyer Kosovën ndër vendet e para në listë për rezultatin më të dobët në PISA, në vendin me pagat më të ulëta në sektorin publik në rajon, në mos shpenzimin respektivisht investimin e jo më shumë se një miliardë euro në projekte kapitale dhe me dështim të plotë në politiken e Jashtme dhe subjektivitetin e Kosovës”, ka shtuar Tahiri.
Sipas tij, qeveria e Kosovës ka përdorur të gjitha mekanizmat e saj për kapjen e institucioneve të pavarura.
“2023 do të mbahet si vit kur qeveria është munduar me të gjithë mekanizmat e saj të kapë institucionet e pavarura, në veçanti gjyqësorin. Zhvillimi më i mirë dhe më i mrekullueshëm ne 2024 do të ishte largimi i ksaj qeverie dhe ndalja e dëmit që i bëhet Kosovës”, është shprehur Tahiri.