Tahiri: VV-ja pa Kurtin bie në 5%, PDK rritet në zgjedhjet e ardhshme

Tahiri: VV-ja pa Kurtin bie në 5%, PDK rritet në zgjedhjet e ardhshme

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka deklaruar se partia e tij nuk është frikësuar asnjëherë nga sfidat politike dhe se është e bindur se do të dalë më e fortë në çdo proces të ardhshëm zgjedhor.

I ftuar në emisionin “Blic Interview” me Astrit Gashin, Tahiri ka theksuar se, pavarësisht mungesës së dy liderëve kryesorë që nga viti 2020, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, PDK ka arritur të ruajë pozicionin si forca kryesore opozitare në vend.

“Nuk jemi frikësuar në të kaluarën dhe nuk frikësohemi as tani. Përkundrazi, jam i bindur se kurdo që mbahen zgjedhjet e reja, ne do të dalim edhe më mirë. Unë besoj shumë tek Partia Demokratike e Kosovës. Ne, si subjekt politik jemi sfiduar shumë, prej vitit 2020 nuk i kemi dy liderët tanë, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, megjithatë, kemi arritur të jemi forca kryesore lidere opozitare”, ka deklaruar ai,

Tahiri ka shprehur kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se kjo parti do të pësonte rënie të theksuar elektorale pa Albin Kurtin në krye. “Nëse e largojmë Kurtin nga Lëvizja Vetëvendosje, kjo parti do të bjerë në 5 për qind, jo për pesë vjet, por për pesë muaj”, është shprehur deputeti i PDK-së.

Duke folur për të ardhmen e partisë, Tahiri ka theksuar se viti 2026 do të shënojë një kthesë të madhe për PDK-në. Ai është shprehur i bindur se proceset gjyqësore në Hagë do të përfundojnë me lirimin e tyre. “Ky do të jetë një fitore e madhe jo vetëm për ta personalisht, por për gjithë qytetarët. Besojmë fuqishëm se ata që po gjykohen padrejtësisht do të kthehen në vend dhe do të jenë të dobishëm për shoqërinë dhe shtetin tonë”, ka përfunduar Tahiri.

Related Articles