Luftimet mes Tajlandës dhe Kamboxhias kanë filluar herët të enjten në mëngjes, në zonën kufitare të diskutueshme në provincën Oddar Meanchey të Kamboxhias veriperëndimore.
Ushtritë e dy vendeve fajësuan njëra-tjetrën për fillim të sulmeve.
Ushtria e Tajlandës tha se ka vendosur një avion luftarak F-16 për t’u angazhuar në luftime pasi forcat kamboxhiane kishin përdorur armatim të rëndë në sulmin e tyre, duke përfshirë raketa me rreze të gjatë veprimi BM21.
Një zyrtar lokal në provincën Surin të Tajlandës, e cila kufizohet me Kamboxhian, tha se rreth 40,000 civilë tajlandezë nga 86 fshatra përgjatë kufirit janë evakuuar gjithashtu në vende më të sigurta.
Ushtria e Tajlandës tha se të paktën 11 civilë tajlandezë janë vrarë, në tre provinca të ndryshme, përfshirë një djalë tetëvjeçar.
Ushtria tha se 14 persona të tjerë në Tajlandë janë plagosur si pasojë e luftimeve.
Ish-kryeministri i Kamboxhias Hun Sen tha se forcat tajlandeze bombarduan dy provinca kamboxhiane – Oddar Meanchey dhe Preah Vihear.
Të dy vendet kanë tërhequr diplomatët, me ambasadën e Tajlandës në Phnom Penh që u bën thirrje shtetasve të saj në Kamboxhia të largohen sa më shpejt të jetë e mundur.
Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias ka dënuar atë që e quajti agresion të pamatur dhe brutal ushtarak tajlandez.