Takim historik dhe mesazh për Rusinë: Armenia dhe Azerbajxhani para nënshkrimit të marrëveshjes së paqes

Takim historik dhe mesazh për Rusinë: Armenia dhe Azerbajxhani para nënshkrimit të marrëveshjes së paqes

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, janë takuar të enjten në Abu Dhabi për të diskutuar hapat e ardhshëm drejt finalizimit të marrëveshjes së paqes.

Ky është takimi i parë zyrtar bilateral mes liderëve të Armenisë dhe Azerbajxhanit që prej arritjes së dakordësisë mbi një draft të marrëveshjes së paqes, pas gati katër dekadash konflikti.

Rezultatet e këtij takimi do të ndikojnë të ardhmen e Kaukazit Jugor, jo vetëm për shkak të asaj që do të bien dakord dy liderët, por edhe për faktin që Rusia, për herë të parë, është përjashtuar nga ekuacioni armeno-azerbajxhanas, raporton euronews.

Dhe ky përjashtim nuk ka ardhur nga iniciativa e Moskës. Si Baku ashtu edhe Jerevani janë distancuar gradualisht nga Kremlini gjatë viteve të fundit, pasi marrëdhëniet e tyre me Rusinë janë përkeqësuar ndjeshëm

Takimit në Abu Dhabi i ka paraprirë edhe një takim bilateral i ngjashëm midis kryeministrit armen dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Ndërsa është e ngujuar në luftën në Ukrainë, Moska po humbet gradualisht ndikimin në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik. Ndryshimi më i dukshëm në këtë drejtim është humbja e dominimit disadekadësh të Rusisë mbi rajonin e Kaukazit Jugor.

Në shtator 2023, Azerbajxhani mori kontrollin e plotë mbi rajonin e Karabakut pas një fushate të shpejtë ushtarake, duke i dhënë fund konfliktit disavjeçar me Armeninë, në të cilin Kremlini kishte luajtur për vite me radhë një rol qendror.

Gati dy vjet më vonë, Jerevani dhe Baku po shkruajnë histori pa Rusinë, duke u dakorduar për tekstin e marrëveshjes së paqes dhe duke normalizuar marrëdhëniet pas një konflikti të përgjakshëm që deri vonë nuk kishte një fund të dukshëm.

Related Articles