Takimet me krerët e partive, Osmani e pret Memli Krasniqin në ora 13:30

Takimet me krerët e partive, Osmani e pret Memli Krasniqin në ora 13:30

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, do të shkojë në Presidenca nga ora 13:30 për takimin me presidenten Vjosa Osmani

Fillimisht, Osmani takoi kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ndërsa aktualisht është në takim me të ngarkuarën me punë të ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.

Megjithatë, shkuarja e Prattipatit në Presidencë nuk lidhet me takimet e liderëve partiakë që ka ftuar Osmani mësoi Gazeta Express.

Takimin te Osmani e kanë konfirmuar edhe partitë e tjera, ndërsa këto takime pritet të zgjasin deri në ora 16:00.

Ndryshe nga hera e kaluar kur presidentja kishte pritur në një takim të përbashkët me liderët e partive të shumicës shqiptare më 15 maj dhe më pas ata liderët e partive nga komunitetet joshumicë, këtë herë Osmani i takon ata ndaras.

Këto përpjekje të Osmanit vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila obligoi deputetët e Kuvendit që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh.

Megjithatë, skenari i njëjtë ka vazhduar në Kuvend edhe pas këtij aktgjykimi. Dje për të 40-ën herë dështoi konstituimi. 

Partia e parë që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje po insiston se Kushtetuesja iu dha të drejtë atyre në opsionin për hedhjen në votim të komisionit për votim të fshehtë, ndërsa partitë tjera thonë se Kushtetuesja ka qenë e qartë që kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur./

Related Articles