Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me takimin që ai pati këtë të martë me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm i Washingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Me anë të një reagimi në Facebook, Meta bën të ditur se temë e diskutimit ishin marrëdhëniet e partneritetetit strategjik mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi si dhe zgjedhjet lokale të 14 majit në Shqipëri.
Meta deklaron se në takim nënvizoi vendosmërinë e Partisë së Lirisë për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga aleanca strategjike Shqipëri-SHBA.
“Mirëprita ditën e sotme Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar. Vlerësova komunikimin e hapur për të gjitha çështjet që diskutuam në takim. Theksova rëndësinë e ruajtjes së përbashkët të partneritetit dhe aleancës strategjike, midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë”, tha mes tjerash Meta. /euronews.al