Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia ka shkuar në Qeverinë e Kosovës për t’u takuar me kryeministrin Kurti, pas tensioneve të krijuara në Veri si pasojë e vendosjes së barrikadave nga qytetarët serbë atje.
T7 bëri të ditur se takimi në Qeveri ka nisur më shumë se 20 minuta më parë.
Në ndërtesën e Qeverisë është parë duke hyrë zëvendësministri Besnik Bislimi.
Kujtojmë që një takim të tillë Kurti e paralajmëroi të shtunën.
“Meqë sonte është Krishtlindja, ne duhet të kemi shumë shpejt pas saj një takim me komandantin e KFOR-it dhe unë si kryeministër, e në të cilën besoj që të sqarojmë gjithçka por, kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht. Nga ai takim të cilin presim që ta kemi me komandantin e KFOR menjëherë pas Krishtlindjes besoj që do të sqarohet gjithçka dhe mund të ju japim përgjigje”, tha Kurti në konferencën e së shtunës.