Ministritë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi mbajtën konsultimet politike.
Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga MPJD.
“Konsultimet politike u mbajtën në Podgoricë dhe u udhëhoqën nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, dhe Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Malit të Zi, z. Ljubomir Mišurović”, u than ë komunikatë.
Përgjatë takimit u diskutua për marrëveshjet bilaterale të cilat janë në proces të finalizimit, situatën e sigurisë në rajon, bashkëpunimin në dimensionin multilateral, thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimet e përbashkëta infrastrukturore.
Zëvendësministri Ahmeti e njoftoi delegacionin malazez për planet e Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, duke vënë theksin në procesin e tanishëm të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai falenderoi Malin e Zi për mbështetjen e pakusht në këtë proces të anëtarësimit.
“Poashtu u diskutua edhe për çështje të sigurisë dhe masat që kanë ndërmarrë të dyja vendet, sidomos pas situatës së krijuar nën hijen e agresionit ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës. Ndikimi i dëmshëm i vendeve të treta në rajonin tonë është shqetësim i përbashkët dhe bashkëpunimi për luftimin e tij është i domosdoshëm”, u tha tutje në komunikatë.
Të dyja palët u pajtuan që t’i angazhojnë departamentet përkatëse të të dyja Ministrive për bashkëpunim të ngushtë për procesin e integrimeve evropiane dhe për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e ekonomisë.