Talibanët i largojnë gratë nga kamerat televizive

Talibanët i largojnë gratë nga kamerat televizive

Shabnam Dawran, është një prezantuese lajmesh dhe një nga fytyrat më të njohura në Afganistan. Ajo dhe disa kolege të saj u pushuan nga puna duke iu thënë “shkoni në shtëpi”, disa orë pasi talibanët morën kontrollin e kryeqytetit Kabul, më 15 gusht.

Dy ditë më vonë në studion e Radio Televizionit të Afganistanit (RTA) vendin e saj e zuri një militant taliban i cili i lexonte me ton të ashpër deklaratat e udhëheqjes së grupit militant. Pranë tij ishte një flamur i talibanëve.

“Unë dëshiroja të shkoja në punë kur sistemi ndryshoi. Unë nuk e humba guximin tim, por për fat të keq nuk u lejova”, tha Dawran në një postim në rrjetin social Facebook më 18 gusht.

“Nëse bota e dëgjon zërin tim, duhet të na ndihmojnë, sepse jeta jonë është në rrezik”, tha ajo në videon e postuar në Facebook.

Hapja e shumë mediave ishte vlerësuar si një nga arritjet më të mëdha të Afganistanit në 20 vjetët e fundit. Nën regjimin taliban deri më 2001 mediat e pavarura ishin të ndaluara. Afganistani ka rreth 170 radio stacione, më shumë se 100 gazeta dhe dhjetëra stacione televizive.

Nën regjimin taliban ekzistonte vetëm radio shtetërore, Zëri i Sheriatit i Talibanëve, në të cilën transmetoheshin kryesisht thirrjet për lutje dhe mësime fetare, transmeton REL.

Pas marrjes së kontrollit të vendit, ka shenja të zymta se grupi fundamentalist islamik po i shuan përparimet e bëra në lirinë e mediave. Televizioni shtetëror tani ka filluar të transmetojë njoftimet e talibanëve, lexime të Kuranit dhe predikime islame.

Muzika është hequr nga skema programore e rrjeteve private televizive. Gjithashtu shikuesit nuk mund të shohin më emisionet argëtuese, emisionet e stilit perëndimor dhe telenovelat e huaja.

Megjithatë, një prezantuese intervistoi një zyrtar taliban drejtpërdrejt në Tolo TV, stacioni televiziv më i madh privat i vendit. Një gazetare e këtij televizioni gjithashtu raportoi drejtpërdrejt nga rrugët e Kabulit.

Related Articles