Granit Xhaka është larguar nga grumbullimi i Kombëtares së Zvicrës, pasi pranoi publikisht se kishte përdorur një certifikatë të falsifikuar vaksinimi kundër COVID-19.
Për këtë çështje ka folur edhe drejtori i Kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami, i cili ka theksuar se rasti i Xhakës është çështje private dhe se Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) nuk ka pasur asnjë rol në të.
Tami bëri të ditur se federata nuk kishte lëshuar ndonjë direktivë për vaksinimin dhe se çështja nuk lidhet me përfaqësuesen helvetike.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt; ai mori vendimin për t’u bërë publik po aq shpejt. Nuk ishte e lehtë për të të ndërmerrte këtë hap”, deklaroi Tami.
“Kjo ishte një çështje private. Shoqata Zvicerane e Futbollit (SFV) nuk lëshoi asnjë direktivë vaksinimi. Ekipi kombëtar nuk ka të bëjë fare me këtë”, shtoi ai.
Drejtori i Zvicrës u pyet edhe për qëndrimin e Xhakës ndaj katërshes së UÇK-së, e cila së fundmi u dënua nga Gjykata Speciale në Hagë.
Edhe për këtë çështje, Tami theksoi se bëhet fjalë për një qëndrim personal të kapitenit shqiptar dhe se nuk përfaqëson qëndrimin e Kombëtares së Zvicrës.
“Mbështetja e tij për presidentin e dënuar të Kosovës është gjithashtu një çështje private”, u shpreh Tami.
