Tarifat ndaj SHBA-ve, Murati godet presidenten për kërkesën publike

Tarifat ndaj SHBA-ve, Murati godet presidenten për kërkesën publike

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj kërkesës së Presidentes së Kosovës për pezullimin e tarifave ndaj produkteve me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se këto çështje duhen trajtuar institucionalisht dhe larg mediave, shkruan Gazeta Enigma.

Sipas Muratit, kërkesa e Presidentes është dërguar në adresën zyrtare të Qeverisë në orën 17:39 dhe vetëm tre minuta më vonë, në 17:42, është bërë publike në rrjetin social X.

Ai e ka cilësuar këtë si një praktikë joserioze, duke theksuar se “çdo shtet serioz i trajton këto çështje brenda institucioneve dhe informon publikun vetëm pas marrjes së një vendimi zyrtar.”

Murati ka kujtuar se që nga prilli i vitit 2023, gjatë një vizite në Washington DC, ai dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kanë diskutuar me përfaqësues të Departamentit të Tregtisë të SHBA-së për një marrëveshje të mundshme për tregti të lirë mes dy vendeve. Kjo çështje, sipas tij, është adresuar edhe nga Kryeministri Albin Kurti në takimet me ish-ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.

“Gatishmëria jonë për të pasur tregti të lirë dhe pa barriera tarifore apo jo-tarifore me SHBA-të mbetet e palëkundur,” ka deklaruar Murati, duke shtuar se vendimi i fundit i administratës së Presidentit Trump për vendosjen e tarifave ndaj partnerëve tregtarë nuk ka ndikim të madh në ekonominë e Kosovës.

Sipas tij, Kosova bën pjesë në grupin e vendeve që i është vendosur një tarifë minimale prej 10%, dhe duke marrë parasysh vëllimin e vogël tregtar me SHBA-të, efekti financiar i këtij regjimi është i kufizuar.

“Si partnerë dhe aleatë të përhershëm të SHBA-së, synimi ynë është të rrisim vëllimin e këmbimit tregtar. Mbështesim plotësisht parimin e Presidentit Trump për tregti të lirë dhe fer. Kjo mund të arrihet përmes një marrëveshjeje për tregti të lirë, e cila do të ndihmonte në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona,” ka theksuar ai.

Në fund të reagimit të tij, Murati ka njoftuar se Qeveria është duke e shqyrtuar këtë çështje dhe se çdo vendim i mundshëm do të bëhet publik në kohën e duhur./GazetaEnigma/

Postimi i plotë:

Related Articles