‘’Tash do ta bajmë operacion në fyt’’, rrëfimi i të moshuarës se si serbët ia vranë burrin në Izbicë

‘’Tash do ta bajmë operacion në fyt’’, rrëfimi i të moshuarës se si serbët ia vranë burrin në Izbicë

Njëra ndër dëshmitaret e masakrës së Izbicës, Emine Dajaku, ka rrëfyer përjetimet e saj dhe të familjes, nga aktet barbare të forcave policore serbe.

Ajo me dhembshuri ka treguar se si forcat serbe ia vranë burrin, pavarësisht tentimeve të saj për ta shpëtuar atë.

”Burri m’u ka vra këtu në Izbicë. Në opqinë (te familja) jena ardh, se në ’98 na u djeg shpia, tani një vit nëpër dyje t’u nejt. Burri tha ‘dojmë me shku në Izbicë’, jena ardh. Burri ka qenë ul në traktor na ka pru mu, fëmijët e djalit, renë, fëmijët e mi. Tha shkau shqip foli ‘çu shiptare, çka po pret’. Jam çu unë, i thash; çka të kesh punë me burrë unë jepi përgjegjësi se është i bamë operacion në kry, e tha: ‘Tash do ta bajmë operacion në fyt’. Kom piskat ‘kuku’, e kam kap burrin për krahu, [shkau] ma ka kërsit një shkelëm në shpinë, më ka gju fluturim në lloç, m’ka humb vetëdija, kur u çova, piskatën rejat, çikat”.

”E u çova. Burri nuk është. Nuk kanë shku dy minuta, kanë kërsit pushktë ‘grrr’, 20 minuta edhe ma shumë, pa nalë”.

Në rrëfimin e saj për Kosovapress, ajo thotë mes tjerash se nga ajo ditë nuk e ka parë më të gjallë burrin e saj, kurse vet bashkë me fëmijë ishin nisur për Shqipëri.

Teksa rrëfen se policia serbe kishte hedhur tri granate në drejtim të kolonës.

”Unë jam plagosur, çika jem edhe djali i djalit”.

”Edhe unë kam mbet aty, çika 10 vjet më është ndarë e plaguar. Neve na kanë çu për Shqipni, tri ditë e tri net tuj piskat fëmija pa hangër e pa pi, fëmijët në shpinë deri në Shqipni. Pak pa shku në Shqipni, djali i djalit dy vjeç e kam kap prej qafës, thash ta shoh a është i gjallë apo i vdekur, ish ngri”.

Një grusht eshtra, siç tregon ajo, gjetën nga trupi i bashkëshortit, pesë vjet pas përfundimit të luftës.

”Nuk e kemi ditë. Pesë vjet nuk e kanë gjet kufomën, tuj i kërku derisa ka shku djali i vogël në Prizren, dy herë kam shku edhe unë me kërku në bazë të teshave, po pesë vjet. Deri në vitin 2005 i kemi gjet një grusht eshtna”.

Related Articles