Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se pas kërkim faljes së Presidentit të Çekisë, Millosh Zeman, për bombardimet ndaj Serbisë, një gjë të tillë duhet ta bëjnë të gjitha vendet e NATO-s.
“Një kërkim falje e tillë duhet të vijë nga të gjitha vendet që bombarduan Serbinë. Këtë duhet ta bëjë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Përfaqësuesi i Lartë i BE, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca dhe të tjerët”, tha Daçiç për TV Pink.
Ndërkaq Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Jakub Kulhanek, ka thënë me anë të një përgjigje me shkrim për Albanian Post se kërkim falja e Presidentit të Çekisë, Millosh Zeman, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për bombardimin që NATO i bëri Serbisë në vitin 1999, është deklaratë e tij personale dhe përfaqëson vetëm mendimin e tij.
Të martën Presidenti i Republikës së Çekisë, Millosh Zeman, gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd, i ka kërkuar falje presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për bombardimin që NATO i bëri Serbisë në vitin 1999.
“Ne kërkuam pëlqimin, dhe dëshpërimisht kërkuam që të paktën një vend të ishte kundër bombardimeve, por ne mbetëm vetëm. Ishte ende një mungesë guximi”, u shpreh Zeman.