“Të hënën para parlamentit, hidhen mjete tymuese te kryeministria”

“Të hënën para parlamentit, hidhen mjete tymuese te kryeministria”

Ka zgjatur më pak se dy orë protesta e thirrur nga Sali Berisha në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Ndërsa mbylli fjalën e tij në podium ku njoftoi protestën e radhës ditën e hënë para parlamentit, protestuesit kanë nisur të hedhin mjete tymyese drejt kryeministrisë.

Ish-kryeministri njoftoi protestën pas arrestimit të ish zyrtarit të FBI, Charles McGonigal, ndërsa demokratët akuzuan kreun e qeverisë si të përfshirë në afera korruptive me të për asgjësimin e opozitës. Protestës pritet t’i bashkohet edhe aleati i Sali Berishës në opozitës Ilir Meta, i cili pas fotos së publikuar në media ku shfaqej me personin A në dosje, Agron Nezën, vendosi të ndërrojë tezat për protestën.

Nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit, ndërsa mori fjalën në protestë, Sali Berisha tha se nga nis revolucionin demokratik. “Të nderuar të pranishëm në këtë cunam popullor të revolucionit demokratik. Shqiptarë dhe shqiptare, kudo që jeni, që keni pritur me padurim këtë ditë, ditën e madhe të siparit të revolucionit demokratik, të përmbysjes së monizmit të dytë në Shqipëri. Një përshëndetje vëllazërore kudo që ndodheni!

Miqtë e mi, do e nis fjalën time me një shprehje të të famshmit, Xhorxh Oruell, i cili shkruan se është akt revolucionar të thuash të vërtetën në kohë gënjeshtre.

Ndaj dhe sot, ditën e siparit të revolucionit tonë demokratik, për përmbysjen e monizmit dhe fitores së demokracisë, do themi të vërtetat tona. Qëllimi më themelor i këtij revolucioni që nis sot është të mbrojmë të vërtetat, por edhe të bëjmë çdo sakrificë që ato të triumfojnë. Rroftë fitorja!” u shpreh Berisha.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës që po mbahet para kryeministrisë, është shprehur se Rama e ka përdorur pushtetin për të kapur shtetin.

Po ashtu ai renditi disa faktorë të tjerë për të cilat sipas tij qytetarët kanë dalë në shesh. “Struci i Rilindjes, që është fshehur si një frikacak i pashoq. Edi Rama në 10 vite e përdori pushtetin për të kapur shtetit. Ai është i gatshëm të kënaqë këdo mafioz të brendshëm apo ndërkombëtar për të shtyrë disa ditë në pushtet. Rama do të japë llogari për të gjitha shkeljet e kushtetutës, shkatërrimin e Kuvendit dhe bllokimin e iniciativave të opozitës, që nga ulja e çmimit të naftës te indeksimi i pagave çdo vit etj. Ai tmerr ka të vërtetat e hidhura të korrupsionit të tij që nuk i mbulon më askush. Nga dëbimet e deputetëve të opozitës. I është kundërvënë haptas shtetit ligjor.” u shpreh Meta.

Related Articles