Te kampioni i Ishujve Faroe, KI Klaksvik, presin përkrahjen e shikuesve për ta kaluar Ballkanin në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka fituar ndeshjen e parë me shifrat 3:2, të enjten e kaluar në Prishtinë. Ndeshja e kthimit, që përcakton cila skuadër kalon në fazën e plejofit, luhet të enjten e ardhshme në Klaksvik të Ishujve Faroe (20:00).
Derisa Ballkani po debuton në gara evropiane, Klaksviku ka përvojë dukshëm më të gjatë. Ka arritur më herët në fazën e plejofit, në Ligën e Evropës në edicionin 2020/2021. Suksesin e tillë e kërkon edhe këtë edicion.
Klaksviku në vitin 2020 kishte fituar 6:1 ndaj Tbilisit për të kaluar në fazën e plejofit të Ligës së Evropës. Ishte hera e parë që një skuadër nga Ishujt Faroe arriti deri në fazën e plejofit e po ashtu fitorja më e thellë e skuadrave nga ky vend në kupa evropiane.
Por për shkak të pandemisë në stadium në atë ndeshje ishin pak fare pak njerëz. Ndryshe pritet të jetë të enjten.
“Ballkani është ekip i mirë që ia doli të dënojë gabimet tona në pjesën e parë. Në pjesën e dytë sistemi ynë ndryshoi dhe kemi arritur të përfitojmë nga dobësitë e Ballkanit duke realizuar dy gola. Ne kemi qenë në këtë situatë më parë, kur na duhej ndihma e shikuesve. E kujtojmë finalen e vitit 2016 e po ashtu një finale në vitin 2019, që nuk do të harrohen asnjëherë. Shpresojmë të kemi një përkrahje të tillë të enjten. Kjo mund t’u japë lojtarëve shtytjen e duhur për sukses”, ka thënë trajneri i Klaksvikut, Mikkjal Thomassen.
Edhe për Ballkanin do të ishte sukses shumë i madh kalimi në raundin e plejofit të Ligës së Konferencës, që është raundi i fundit para fazës grupore. Asnjë skuadër kosovare nuk ka arritur në plejof të Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës apo Ligës së Konferencës.