Fidan Aliti dhe Mirlind Kryeziu, dy futbollistët e Kosovës të lindur në Zvicër.
Ndonëse të lindur dhe rritur në Zvicër, dyshja ka vendosur që me plotë dëshirë ta përfaqësojnë vendin e tyre.
Kosova ka udhëtuar kështu drejtë Cyrihut për t’u përballur në miqësore me Zvicrën me fillim nga ora 18:00.
Në një intervistë dhënë për gazetën zvicerane “Blick”, Aliti dhe Kryeziu kanë treguar përvojën e tyre dhe gjithçka rreth Kosovës.
“Kur vendosa të luaja për Kosovën pas gjashtë vjetësh të kaluara në ekipet e të rinjve të Zvicrës, e dija se në një pikë të karrierës do të vinte përballja me Zvicrën. Jam mjaft i lumtur, do të jetë një atmosferë e shkëlqyeshme në stadium”, deklaroi mbrojtësi Kryeziu.
Me padurim këtë ndeshje po e pret edhe qendërmbrojtësi tjetër, Fidan Aliti.
“Është një sfidë e madhe sportive sepse Zvicra ka kualitet të lartë. Nga shumë mesazhe që i kam marrë, mund të them se është një ndeshje speciale”, theksoi 28 vjeçari.
Ndeshja me Kosovën do të jetë vërtet speciale duke e pasur parasysh se tek Kosova luajnë dhe disa futbollistë të tjerë që janë lindur e rritur në Zvicër si Betim Fazliji, Toni Domgjoni, Florent Hadërgjonaj e Arijanet Muric, ndërsa pjesë e ekipit nuk janë Hekuran Kryeziu e Benjamin Kololli, po ashtu të lindur e rritur në Zvicër.