Të paktën 15 persona, përfshirë fëmijë, u plagosën në sulmet ajrore ruse në rajonin verilindor të Harkivit në Ukrainë, mbrëmjen e 20 shtatorit, thanë zyrtarët rajonalë.
Prokuroria tha se sulmet ajrore kishin në shënjestër tre distrikte në qytetin e Harkivit, duke përdorur avionë Su-34.
Më herët më 20 shtator, ushtria ruse përdori mortaja për të bombarduar fshatra, duke vrarë dy persona, tha guvernatori i Harkivit, Oleh Synyehubov.
Gjatë ditës, forcat ruse kryen 54 sulme ajrore në Ukrainë dhe u zhvilluan 190 përleshje luftarake në lindje të vendit, sipas ushtrisë ukrainase.
Ndërkohë, një ditë më parë, forcat ajrore ukrainase kishin thënë se kundërajrorët e tyre i shkatërruan 61 prej 70 dronëve dhe një prej katër raketave me të cilat Moska e sulmoi Ukrainën gjatë natës.
Në fillim të kësaj jave, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) paralajmëroi se ky dimër mund të jetë më i vështiri për Ukrainën deri tani, sepse infrastruktura energjetike e saj është tejet e tendosur si pasojë e sulmeve ruse ndaj termocentraleve, ngrohtoreve dhe rrjetit energjetik.
Më 20 shtator, Komisioni Evropian bëri të ditur se do t’ia ndajë Ukrainës një hua të re në vlerë deri në 39 miliardë dollarë.
Huaja është pjesë e një plani të gjerë të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) për grumbullimin e të hollave për ta mbështetur Kievin duke i përdorur mjetet nga asetet e ngrira financiare të Rusisë në vlerë 300 miliardë dollarë.
Këto asete u ngrinë në kuadër të sanksioneve kundër Moskës për pushtimin e Ukrainës.
Gjatë kësaj jave, Ukraina mori pjesë në stërvitjet e NATO-s, ku u testuan sistemet kundër dronëve. Qëllimi i kësaj stërvitjeje ishte për të mësuar urgjentisht nga zhvillimi i hovshëm dhe përdorimi i skajshëm i dronëve – mjeteve pa pilot – në luftën në Ukrainë