150 persona janë arrestuar në Londër nga Policia Metropolitane, pasi dhjetëra qytetarë dolën në një protestë për të mbështetur grupin e ndaluar Palestine Action.
Ngjarja ka ndodhur në Sheshin e Parlamentit, ku sipas organizatorëve të protestës, Defend Our Juries, ishin mbledhur deri në 700 persona. Ata paralajmëruan se policia po përgatitej për “arrestimin më të madh masiv në historinë e tyre”.
Sipas Sky News, Policia Metropolitane konfirmoi ndërhyrjen, duke deklaruar se një “numër i konsiderueshëm njerëzish” u panë duke mbajtur pankarta që shprehën mbështetje për Palestine Action, një organizatë që nga 5 korriku është e ndaluar me ligj në Britani.
“Tani kemi arrestuar 150 persona në Sheshin e Parlamentit,” tha policia.
“Ndërsa shumë prej atyre që kanë mbetur në shesh janë media dhe kalimtarë, ka ende njerëz që mbajnë pankarta që mbështesin grupin. Oficerët po punojnë vazhdimisht mes turmës duke bërë arrestime të mëtejshme.”
Me hyrjen në fuqi të ligjit më 5 korrik, shprehja e mbështetjes për Palestine Action konsiderohet vepër penale, për të cilën dënimi mund të arrijë deri në 14 vjet burg.