Të paktën 16 persona, përfshirë katër fëmijë, humbën jetën pasi një autobus u përmbys në një rrugë rajonale në shtetin Alagoas, në verilindje të Brazilit, njoftuan autoritetet.
Autobusi, me rreth 60 pasagjerë, po kthehej nga një festival fetar kur doli nga rruga në një kthesë në zonën rurale të qytetit Sao Jose da Tapera. Disa pasagjerë u hodhën jashtë mjetit, ndërsa të tjerë mbetën të bllokuar nën rrënoja.
Sipas qeverisë së Alagoas, viktimat janë shtatë gra, pesë burra dhe katër fëmijë. Të mbijetuarit, përfshirë një fëmijë në gjendje të rëndë, u dërguan në spital. Shkaqet e aksidentit janë nën hetim.
Guvernatori Paulo Dantas shpalli tre ditë zie në shtet dhe shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.
