Të paktën 20 persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë plagosur, si pasojë e një tërmeti që ka goditur pjesën jugperëndimore të Pakistanit në orët e para të 7 tetorit, kanë thënë zyrtarët për menaxhim të katastrofave.
Naseer Nasar, udhëheqës i Autoritetit për Menaxhim të Katastrofave në Baloçistan, ka thënë se të paktën 20 persona kanë vdekur dhe numri i viktimave mund të rritet.
“Jemi duke tentuar të kuptojmë se sa e madhe është shkalla e vdekshmërisë dhe e shkatërrimit”, tha ai.
Në procesin e kërkim-shpëtimit janë angazhuar agjenci ushtarake dhe civile.
“Jemi duke punuar pa rrymë, vetëm me ndihmë të dritave të dorës dhe të telefonave mobilë”, ka thënë Zahoor Tarin, zyrtar i lartë në spitalin në Harnati, për agjencinë e lajmeve AFP.
Shumë viktima kanë vdekur si pasojë e rrëzimit të kulmeve dhe mureve të shtëpive të tyre me baltë në zonën e Harnait, ka thënë një zyrtar i lartë qeveritar i provincës, sipas AFP-së.
Pjesa më e madhe e viktimave raportohet se janë gra dhe fëmijë.
Shërbimi Gjeologjik amerikan ka thënë se tërmeti ka qenë 5.7 shkallë të Rihterit, me epiqendër rreth 100 kilometra në perëndim të kryeqytetit të provincës Kueta.
Më 2005, Pakistani është goditur nga një tërmet 7.6 shkallë të Rihterit që ka lënë mbi 73,000 persona të vdekur dhe mbi 3.5 milionë persona të pastrehë. \Rel
/Gazeta “Enigma”/