Të paktën 24 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet shkatërrimtare që kanë goditur Qarkun Kerr në Teksas, si pasojë e reshjeve ekstreme të shiut që kanë përmbytur zonën.
Mes viktimave është edhe Renee Smeistrala, një vajzë 9-vjeçare që po qëndronte në një kamp veror të njohur për vajzat e krishtera, Kampin Mystic, pranë lumit Guadalupe.
Tragjedia nuk ndalet me kaq: të paktën 20 vajza të tjera që ndodheshin në të njëjtin kamp rezultojnë ende të zhdukura, ndërsa autoritetet kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi dhe shpëtimi.
Kampi, ku ndodheshin mbi 700 fëmijë në momentin e përmbytjes, është shkatërruar plotësisht pasi lumi Guadalupe u rrit me afro 8 metra brenda më pak se një ore.
Shërbimi Kombëtar i Motit raportoi se zona është përfshirë nga rreth 300 milimetra shi, sa një e treta e sasisë mesatare vjetore të reshjeve.
Zyrtarët lokalë e kanë përshkruar situatën si “kërcënuese për jetën”, ndërsa operacionet e shpëtimit janë ende në zhvillim.
Autoritetet po koordinojnë ndihmat për banorët dhe kampistët e prekur nga kjo katastrofë natyrore.