Të shtënat me armë trazojnë banorët e Kolovicës, i dyshuari: E bëra për t’i frikësuar hajnat

Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.

Disa të shtëna me armë zjarri kanë trazuar banorët e lagjes Kolovicë e Vjetër në kryeqytet mbrëmjen e shkuar.

Sinjali mëson se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndalur një veturë e cila dukej e dyshimtë.

Shoferi që po drejtonte automjetin e ka pranuar se ka shtënë katër herë në ajër me armë, pasi që sipas tij, disa persona të panjohur dyshohej se po tentojnë të vjedhin material ndërtimorë afër shtëpisë së tij.

Bazuar në dëshminë e tij dhënë organeve të hetuesisë, këtë e ka bërë vetëm që t’i frikësojë personat e dyshuar dhe për asnjë qëllim tjetër. Arma që dyshohet se u përdor në rast është sekuestruar bashkë me karikatorët dhe fishekët si dhe me katër gëzhojat që u gjetën në vendngjarje.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, e po ashtu është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit të rastit edhe vëllai i tij.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Related Articles