Edhe Kosova si shumica e vendeve të tjera në rajon e më gjerë ka filluar me vaksinimin e popullsisë kundër pandemisë COVID-19.
Kosova, e cila është furnizuar me vaksinat “AstraZeneca”, këtë proces e ka filluar që nga fundi i muajit mars. E ndër personat që kanë marrë vaksinën është edhe 25-vjeçarja nga Prishtina, M.GJ. Ajo e ka kaluar COVID-in dy herë.
“Hera e parë ka qenë gjatë muajit korrik. Simptomat kanë qenë nga ato më të zakonshmet, pra kokëdhimbje, temperaturë, lodhje dhe dhimbje e muskujve. Pas kalimit të virusit kam rezultuar negativ me antitrupa. Andaj gjatë datës 13 nëntor, duke i pasur të njëjtat simptoma të COVID-it, i kam bërë analizat dhe kam rezultuar prapë pozitiv. Gjatë herës së dytë që kam dalë pozitiv me COVID kam pasur simptoma të zakonshme si: kokëdhimbje, temperaturë dhe probleme të theksuara të unazave”, ka thënë ajo për “Zëri”.
Këso lloj simptomash ka pasur edhe Q. L., po ashtu 25-vjeçar. Ai bën të ditur se temperatura, lodhja e ethet i janë larguar tek pas ditës së tretë.
“Në muajin nëntor, pas disa simptomave të lehta, të cilat kanë përfshirë ethe dhe lodhje, jam testuar në Institut dhe kam rezultuar pozitiv me COVID-19. Ndërsa, para një jave kam marrë vaksinën anti-COVID dhe ditën e parë nuk kam pasur ndonjë simptomë, kurse gjatë ditës së dytë dhe të tretë kam pasur simptoma të theksuara, të cilat kanë përfshirë rritjen e temperaturës, lodhje, dhimbje të muskujve dhe ethe. Në ditën e tretë këto simptoma janë zhdukur plotësisht”, ka potencuar 25-vjeçari.
Kurse A.G., 36-vjeçare, ka thënë se që në ditën e parë pas marrjes së vaksinës ka pasur shumë lodhje, të manifestuar edhe me dhëmbje të theksuara që i janë shfaqur.