Një shpërthim jashtë aeroportit ushtarak në kryeqytetin e Afganistanit, Kabulin, ka shkaktuar viktima të shumta, sipas një zyrtari taleban.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Abdul Nafi Takor, tha se shpërthimi i së dielës la disa njerëz të vdekur dhe të plagosur, duke shtuar se një hetim është duke u zhvilluar.
Ai nuk e specifikoi natyrën apo objektivin e shpërthimit, shkrun AlJazeera.
Banorët vendas thanë se një shpërthim i fortë u dëgjua para orës 8 të mëngjesit në afërsi të anës ushtarake të aeroportit shumë të fortifikuar. Ata thanë se zona ishte mbyllur nga forcat e sigurisë dhe të gjitha rrugët ishin mbyllur.
Përgjegjësinë për sulmin akoma nuk e ka marrë askush, por dega rajonale e ISIL e ISIS, e njohur si Shteti Islamik në Provincën Khorasan, ka shtuar sulmet e saj që kur talibanët u kthyen në pushtet në gusht të vitit 2021.