Temperaturat e larta, ndalohet qarkullimi i automjeteve të rënda nga ora 11:00 deri në 17:00

Temperaturat e larta, ndalohet qarkullimi i automjeteve të rënda nga ora 11:00 deri në 17:00

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me peshë mbi 15 T, në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale.

Zv.minstri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se vendimi është marrë për shkak të temperaturave të larta.

“Të dashur qytetarë, Për shkak të temperaturave të larta që po mbretërojnë këto ditë kemi marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me peshë mbi 15 T, në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale.
Ndalesa vlen nga ora 11:00 e deri në 17:00, duke filluar nga nesër me 23 korrik e deri me 28 korrik”, ka pohuar Durmishi.

Ai thotë se ky vendim mund të ndryshohet varësisht nga kushtet klimatike gjatë ditëve në vijim.

Ndryshe, edhe Ministria e Shëndetësisë, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, rekomandon që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 22 – 25 korrik 2025.

Në njoftimin e MSH-së thuhet se temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta.

“Ftohen të gjitha institucionet që t’i respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”, thuhet në njoftim.

Related Articles