Policia e Kosovës ka reaguar pas situatës së krijuar sot në komunat veriore të vendit, ku janë lëshuar sirenat si dhe raportohet për tubime të serbëve lokalë.
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend. Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, në Zubin Potok, Leposaviq, e Zveçan rreth orës 12:00 janë grumbulluar një grupe të vogla qytetarësh. Sipas mediave në gjuhën serbe, ende nuk dihet arsyeja e grumbullimit të tyre.