Mbrëmë u raportua për një incident mes dy familjeve në Hajvali të Prishtinës, ku pati të shtëna me armë e therje me thikë dhe për pasojë dy persona mbetën të plagosur. Për motive akoma të panjohura, disa anëtarë të familjes Pacolli dhe disa nga familja Fazlija fillimisht u përfshinë në një përleshje që eskaloi në përdorimin e armëve. Policia tashmë ka nisur hetimet për këtë rast, ndërkohë që janë marrë edhe veprimet e nevojshme nga Prokurori i Shtetit.
Kush janë të dyshuarit dhe cilat janë detajet e rastit?
Burime nga Prokuroria kanë bërë me dije se në këtë rast që është cilësuar si tentim vrasje janë përfshirë Enver Pacolli, Ramadan Pacolli dhe Riad Pacolli në njërën anë, kurse në anën tjetër, Florim Fazlija dhe Artin Fazlija.
Personat që mbetën të plagosur janë Enveri, i cili u qëllua me armë zjarri, kurse Florimi nga familja Fazliu u ther me thikë dhe që të dy përfunduan në Qendrën Klinike Universitare për të marrë trajtim mjekësor.
Sinjali mëson se i dyshuari që e qëlloi me armë në këmbë Enverin është Artin Fazlija, kurse Ramadan Pacolli dyshohet se e goditi Florimin me mjet të mprehtë, ndaj të cilëve Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalim policor.
Të njëjtat burime thonë se përveç dy të plagosurve, lëndime si pasojë e rrahjes ka pësuar edhe vet i dyshuari Artini, për çka ka po merr tretmanin e nevojshëm dhe është në mbikëqyrjen e zyrtarëve policorë, deri në përmirësimin e gjendjes shëndetësore.
Në anën tjetër, Policia ka kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur disa gëzhoja, ndërsa është konfiskuar edhe arma që është përdorur nga i dyshuari.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet për disa vepra penale: Vrasje në tentativë, Lëndim trupor, Armëmbajtje pa leje dhe Pjesëmarrje në rrahje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.