Mbrëmjen e së martës janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku kanë mbetur të plagosur dy persona.
Për motive akoma të panjohura, nga një veturë është gjuajtur në drejtim të viktimave, njëri prej të cilëve dyshohet se iu kundërpërgjigj palës tjetër, duke gjuajtur në drejtim të tyre.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Leutrim Krasniqi, i cili është qëlluar me armë, po ashtu po hetohet si i dyshuar për rastin dhe tashmë ndaj tij është lëshuar urdhër për ndalim policor.
Sipas informacioneve të para, nga një veturë në lëvizje kanë gjuajtur disa herë në drejtim të Krasniqit dhe viktimës tjetër dhe më pas kanë arritur të ikin.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është zbuluar se edhe Krasniqi e ka përdorur armën dhe ka shtënë me të në drejtim të të dyshuarve të tjerë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur mbi 20 gëzhoja, që janë sekuestruar bashkë më armën e të dyshuarit Krasniqi, njofton Sinjali.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia, me ç’rast ka bërë me dije se i dyshuari që u plagos është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Persona të panjohur nga një veturë në lëvizje kanë qëlluar me armë zjarri dy viktima meshkuj kosovarë. Njëri prej të plagosurve ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dyshuarave, atij i është konfiskuar një pistoletë dhe i njëjti me vendim të prokurorit pas tretmanit mjekësor është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Lidhur me rastin janë intervistuar gjashtë dëshmitarë meshkuj kosovarë. Rasti në procedurë hetimore.“.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.