Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi dhe drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, e ka quajtur përpjekje për agresion kërkesën e Serbisë për kthim të ushtrisë në Kosovë.
Peci përmes një shënimi në Facebook ka shkruar se tanimë statusi i Kosovës është i definuar dhe legaliteti i shpalljes së pavarësisë është validuar nga GJND.Pause
“Kjo kërkesë në radhë të parë, në bazë të së drejtës ndërkombëtare është përpjekje për agresion ndaj një vendi te pavarur, duke pasur parasysh faktin se Karta e Kombeve te Bashkuara i mbronë vendet e pavarura nga agresioni i jashtëm pavarësisht anëtarësisë në këtë organizatë. Thirrja në Rezolutën 1244(1999) është jashtë kontekstit të saj kohor, pasi tanimë është definuar statusi i Kosovës dhe pavarësia e saj nuk është kontestuar nga asnjë dokument legal i Kombeve të Bashkuara, dhe legaliteti i shpalljes së pavarësisë është validuar nga GJND”.
Drejtori i Institutit KIPRED ka thënë se në qoftë se një vend i vetëm i NATO-s vendos veto, një kërkesë e tillë e Serbisë do të pamundësohet.
“Së dyti, kjo kërkesë komike e Serbisë, duhet të aprovohet paraprakisht nga Këshilli i NATO-s para se Komandanti i KFOR-it të merr çfarëdo vendimi, pasi ajo i prekë interesat e vendeve anëtare dhe atyre partnere që i kanë trupat në Kosovë. Këtu mjafton vetëm një vend i NATO-s të vë veto, dhe një veprim i tillë do të pamundësohet”.
“Këtë gjë e dinë fort mirë Serbia, dhe atë e bënë më tepër për konsum të brendshëm dhe për të hedhur hi në sy komunitetit serb në veri të Kosovës, por njëkohësisht edhe për ta sfiduar autoritetin e NATO-s dhe të BE-së, kur perëndimi si asnjëherë është duke u ballafaquar me Rusinë”.
Peci megjithatë ka thënë se është dëmtuar pozicioni i Kosovës, pas refuzimit të SHBA-së për çështjen e targave. Por sipas tij, përsëri budallakia e Serbisë në veri duket se do ta shpëtojë Kosovën.
“Gabimi që është bërë me mos dëgjimin e këshillës së SHBA-ve rreth çështjes së targave, nuk i ka sjellë asnjë të mirë Kosovës. Përkundrazi, ajo i ka sjell vetëm dëme dhe dobësim të pozicionit në negociatat me Serbinë. Në këtë situatë, si po duket edhe një herë do ta shpëtoj vendin tonë budallakia e Serbisë në veri të Kosovës”.
“Besoj se edhe më verbërit në bashkësinë ndërkombëtare e kanë të qartë se Beogradit nuk i interesojnë njerëzit, por vetëm territori. Ndërsa në anën tjetër Kosova ka pak ide se si duhet të punohet me komunitetin serb në veri. Të mos harrojmë se pavarësisht lojalitetit të tyre, mbi të gjitha, ata janë qytetarë të Kosovës”, deklaroi tutje Peci.