Policia në Gjilan ka arrestuar një të dyshuar për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.
Siç njoftohet, i njëjti kishte tentuar që t’i përfitonte kundërligjshëm nga fondet publike shumën prej 400 mijë eurosh.
“Policia e Kosovës, respektivisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan (NJRHKEK-Gjilan), gjatë zhvillimit të hetimeve, ka siguruar prova të besueshme se i dyshuari mashkull kosovar si person i autorizuar, me rastin e aplikimit në një aktivitet të prokurimit, me qëllim të mashtrimit si dhe ndikimit në vendimin në procedurën e vlerësimit, ka paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme apo të falsifikuara, për t’i plotësuar kërkesat, në mënyrë që të përfitojë kundërligjshëm në fonde publike sipas ofertës së çmimit nga shuma e përgjithshme e vlerës së parashikuar prej (katërqind mijë) 400,000,00 euro”, thuhet në një njoftim të policisë, transmeton Gazeta Enigma.
Lidhur me rastin personi i dyshuar është intervistuar dhe pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të Shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.