Një ngjarje që mund të ketë ndodhur gjatë fundjavës, e tmerroi të hënën shehun e Teqesë së Madhe në Gjakovë.
Sheh Gufrani u shtang kur pa se arka me paratë e grumbulluara në dy vjetët e fundit nuk ishte në shtëpinë e tij, që ndodhet në oborrin e objektit fetar.
Atë, bashkë me shumën prej rreth 200 mijë euro që kishte brenda, i kishte vjedhur dikush.
Prijësi i tarikatit Saadi lajmëroi policinë, që konfirmoi se plaçkitësit s’i morën veç para, por edhe stoli ari.
Teqeja është e rrethuar me kamera të sigurisë, pamjet e të cilave po hetohen.
Lulzim Shehu, sekretar në Bashkësinë e Tarikateve të Kosovës (BTK), ku bën pjesë ky komunitet, ankohet se paratë s’mund të deponoheshin në bankë meqë Administrata Tatimore e Kosovës ia mori licencën pasi ia dha.
Valentina Bytyqi nga ATK, konfirmoi për Klanin se anulimi i numrit fiskal për BTK u bë pas rekomandimeve të zyrës ligjore, pasi nuk ka status si Bashkësi Fetare, bazuar në ligjin aktual në fuqi për liritë fetare.