Tërheqja e mjeteve të Trustit nga ana e qytetarëve po shihet si një mundësi për përballimin e rritjes së çmimeve.
Klankosova.tv ka pyetur në këtë institucion lidhur me atë se a është i gatshëm për këtë proces, në rast se miratohet nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi, tha se Fondi i Kursimeve Pensionale e ka për mandat t’i administrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale deri në pensionimin e kontribuuesve.
“Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e ka për mandat t’i adiministrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale deri në pensionimin e kontribuuesve. Ky mandat nënkupton zbatimin e kornizës ligjore në fuqi, e cila buron nga institucionet përgjegjëse. Pra, rrjedhimisht, ne mund të deklarojmë vlerësimet tona vetëm në kuadër të mandatit tonë institucional”.
Lidhur me këtë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, më datën 9 mars, ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.
Haxhiu këtë e ka konfirmuar për Gazetën Enigma, i cili ka deklaruar se këtë nismë e ka dorëzuar më 9 mars në kuvend.
“Nisma për tërheqjen e Trustit deri në 30 për qind është protokoluar në kuvend më 9 mars në formën e projektligjit”, ka thënë ai.
Haxhiu pati propozuar që qytetarët të kenë mundësi të tërheqin deri në 30 për qind të kursimeve të tyre./Gazeta Enigma/