Iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensional që mundëson tërheqjen e 10-30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti nuk kaloi në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Kundër propozimit ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, derisa pro ishin ata nga PDK, LDK dhe AAK dhe deputetja nga Lista Serbe.
Ndërkaq deputetja nga radhët e pakicave, Duda Balje ka abstenuar.
Votat e deputetëve ishin 5 pro, 5 kundër dhe një abstenim.
Më i zëshmi kundër këtij propozimi ishte deputeti i VV-së, Armend Muja.
Ky i fundit tha se praktika e tërheqjes nga Trusti nuk ndodhë në asnjë vend të Evropës, e madje tha se do të përdorë çdo mekanizëm për ta kundërshtuar këtë.