Rajoni i Evias u godit nga tre tërmete relativisht të fortë gjatë orëve të fundit duke ngjalluar mjaft shqetësim te ekspertët në lidhje me një rritje të beftë të aktivitetit sizmik në këtë zonë. Fillimisht, ishte një goditje me magnitudë 4.8 të shkallës Rihter dhe më pas dy të tjera, njëra me magnitudë 4.1 dhe tjetra 4.2, të cilët konsiderohen edhe si pasgoditje.
Ndërkohë që nuk ka njoftime për dëme në njerëz, përveç atyre të vogla materiale, sizmilogët janë të shqetësuar pasi muajt e fundit është vërejtur një rritje e aktivitetit sizmik në zonën në fjalë, raporton abcnews.al.
Njëri prej tyre, Dr. Gerasimos Papadopoulos tha për “Protothema” se tërmeti i sotëm ishte “njoftuar” nga disa tërmete të tjera më të vogla, të cilat kishin filluar që prej tetorit të këtij viti, ndërsa i gjithë rajoni, përfshi Turqinë, si edhe Shqipërinë në veri, është përfshirë nga një shtim i aktivitetit sizmik gjatë viteve të fundit.
Turqia është goditur nga disa tërmete të fuqishme gjatë viteve të fundit, ashtu si edhe Greqia dhe Shqipëri, të cilat kanë shkaktuar dhjetëra viktima.
“Është e rëndësishme të theksohet se aktiviteti sizmik në këtë zonë ka nisur që në tetorin e kaluar me shumë tërmete me magnitudë më të vogël ku më i madhi ka ndodhur dje më 28 nëntor me magnitudë 3.3 Rihter. Pra tërmeti i mëngjesit prej 4.8 Rihter do të thoja që ishte “njoftuar” nga një seri tërmetesh që zgjatën për dy muaj. Kështu që ne shkencëtarët do të duhet të marrim parasysh këtë histori të dy muajve të fundit për të parë nëse ky tërmet është kryesori apo jo. Do të duhet të presim disa ditë për të pasur një mendim më i vendosur”.
Në lidhje me historinë sizmike të zonës, Papadopoulos shpjegoi: “Kjo zonë nuk ka një histori të rëndësishme tërmetesh të forta, por kjo nuk është një garanci që nuk do të ketë. Dhe këtë e them sepse në Greqi, por edhe gjetkë, në botë kemi shembuj të tërmeteve të forta që kanë ndodhur në zona që nuk e dinim se prodhonin tërmete të tilla siç ndodhi në vitin 1999 me tërmetin vdekjeprurës të Parnitës”. /abcnews.al