Tërmeti në Afganistan: Talibanët bëjnë thirrje për ndihmë ndërkombëtare

Tërmeti në Afganistan: Talibanët bëjnë thirrje për ndihmë ndërkombëtare

Talibanët në Afganistan kanë bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare, pasi vendi i tyre po përballet me pasojat e një tërmeti shkatërrues me magnitudë 6.1 ballë.

Më shumë se 1000 njerëz janë vrarë dhe të paktën 1500 janë plagosur. Numra të panjohur janë varrosur në rrënojat e shtëpive të shkatërruara, shpesh të ndërtuara nga balta.

Provinca juglindore Paktika është goditur më së shumti dhe OKB-ja po përpiqet të sigurojë strehim emergjent dhe ndihmë ushqimore.

Përpjekjet e shpëtimit po pengohen nga reshjet e dendura të shiut dhe mungesa e burimeve.

Të mbijetuarit dhe shpëtuesit i kanë treguar BBC-së për fshatrat e shkatërruar plotësisht pranë epiqendrës së tërmetit, për rrugët e rrënuara dhe kullat e telefonave celularë – dhe për frikën e tyre se numri i të vdekurve do të rritet më tej.

Tërmeti më vdekjeprurës që goditi këtë shtet në dy dekada është një sfidë e madhe për talibanët, lëvizjen islamike e cila rifitoi pushtetin vitin e kaluar pas rënies së qeverisë së mbështetur nga perëndimi.

Tërmeti goditi rreth 44 km nga qyteti i Khost dhe lëkundjet u ndjenë deri në Pakistan dhe Indi.

Afganistani është në mes të një krize humanitare dhe ekonomike, dhe Abdul Qahar Balkhi, një zyrtar i lartë i talibanëve, tha se qeveria ishte “e paaftë financiarisht t’i ndihmojë njerëzit në masën që është e nevojshme”.

Agjencitë e ndihmës, vendet fqinje dhe fuqitë botërore po ndihmojnë, tha ai, por shtoi: “Ndihma duhet të rritet në një masë shumë të madhe, sepse ky është një tërmet shkatërrues që nuk është përjetuar në dekada”.

Kreu i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, deklaroi se agjencia ishte “mobilizuar plotësisht” për katastrofën. Ekipet shëndetësore, furnizimet mjekësore, ushqimi dhe strehimoret e urgjencës ishin rrugës për në zonën e tërmetit, thanë zyrtarët e OKB-së.

Related Articles