Ekipet e kërkim-shpëtimit të martën kanë shpëtuar një grua 63-vjeçare nga rrënojat e një ndërtese në kryeqytetin e Birmanisë.
Mirëpo shpresat janë duke u venitur për të nxjerrë më shumë njerëz gjallë.
Po të njëjtën ditë është konfirmuar se si pasojë e tërmetit, numri i të vdekurve ka shkuar në mbi 2700.
Departamenti i zjarrfikësve në Naypyitaë njoftoi se gruaja është nxjerrë në mënyrë të suksesshme nga rrënoja 91 orë pasi ndërtesa ishte shembur nga tërmeti 7.7-shkallësh rihter, të premten.
Sipas ekspertëve, gjasat për të gjetur të mbijetuar ulen shumë pas 72 orëve.
Kryesori i qeverisë ushtarake të Myanmarit, gjenerali i lartë, Min Aung Hlaing, ka njoftuar se 2,719 persona janë gjetur të vdekur. Ndërkohë 4,521 të tjerë janë lënduar dhe 441 persona janë zhdukur.
Këto shifra pritet të rriten, pasi tërmeti ka goditur një pjesë të madhe të vendit, duke lënë shumë zona pa rrymë, telefon apo lidhje në mes qyteteve si pasojë e infrastrukturës së dëmtuar, duke bërë arritjen e ndihmës shumë më të vështirë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se më shumë se 10,000 ndërtesa janë shembur apo dëmtuar shumë në Birmaninë qendrore dhe veriperëndimore.
Edhe para tërmetit, më shumë se 3 milionë persona kanë qenë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre nga lufta civile në Birmani, dhe afër 20 milionë kanë qenë në nevojë, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Shumë veçse po vuanin nga mungesa e kujdesit bazik shëndetësor dhe vaksinimi standard dhe shkatërrimi i infrastrukturës së ujit dhe ujërave të zeza nga tërmeti ka rritur rrezikun e përhapjes së sëmundjeve, ka paralajmëruar zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Punëve Njerëzore.
Edhe strehimi është problem i madh, pas dëmeve të mëdha shumë njerëz janë duke fjetur jashtë.
Edhe lufta civile e ka komplikuar shumë ndihmën për katastrofën natyrore. Ushtria e Birmanisë e ka marrë pushtetin përmes grusht-shtetit në vitin 2021 nga qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike, duke nxitur atë që u kthye në një rezistencë të madhe të armatosur dhe një luftë brutale civile.
Sulmet e ushtrisë nuk janë ndalur edhe pas tërmetit, edhe pse Qeveria opozitare nën hije ka bërë thirrje për armëpushim të njëanshëm.