Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka reaguar ashpër pas rënies së LDK-së në zgjedhje dhe qëndrimit të kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku.
Tërmkolli ka vlerësuar se Abdixhiku do të duhej të jepte dorëheqje të parevokueshme që në natën e rezultateve, duke e akuzuar për mungesë të moralit politik dhe njerëzor.
“Abdixhiku po të kishte vetëm një grimë moral njerëzor, se për moral politik e kombëtar nuk po flas fare, do të duhej të jepte dorëheqje të parevokueshme natën e rezultatit të zgjedhjeve”, thotë Tërmkolli.
Tërmkolli ka deklaruar se Abdixhiku dhe presidentja Vjosa Osmani përfaqësojnë, sipas saj, një kategori politikanësh përfitues, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin urgjent të kryetarit të LDK-së.
Ajo ka bërë thirrje për zgjedhje të reja brenda partisë, të bazuara në meritokraci, duke theksuar se LDK duhet të ringritet pasi, sipas saj, i nevojitet Kosovës.
“Abdixhiku e Vjosa përfaqësojnë racën më të ndytë të politikanëve të Kosovës, janë profiterët më të mëdhenj në historinë politike 35 vjeçare të Kosovës!
Sorosiani Lulmir duhet të japë dorëheqje ose të shkarkohet urgjentisht, të mbahen zgjedhje në LDK nga fillimi me kriter kryesor të meritokracisë e jo të tuxharisë që e kanë instaluar Isat e Lulmirat! LDK duhet të ringritet, LDK i duhet Kosovës”, përfundoi Tërmkolli për GazetaBlic.
