Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në prag të Festës së Kurban Bajramit, uroi besimtarët myslimanë për këtë festë dhe ftoi qytetarët që të kenë kujdes dhe të respektojnë masat kundër koronavirusit, pasi siç u shpreh, “virusi është ende në mesin tonë”.
Myftiu Tërnava tha se Kurban Bajrami karakterizohet me therjen e kurbanit dhe kryerjen e Haxhit, por për këtë të fundit, tha se shpreson që vitin e ardhshëm, besimtarët të kenë mundësi të shkojnë në Mekë dhe Medinë që të kryejnë këtë kusht të Islamit.
“Fatkeqësisht edhe këtë vit, besimtarëve tanë, për shkak të gjendjes pandemike nuk u është mundësuar që të udhëtojnë drejt vendeve të bekuara të Mekës dhe Medinës, mirëpo shpirtërisht e ndiejmë aromën e atyre vendeve dhe mbetemi me shpresë që vitin tjetër të jemi atje për t’iu lutur krijuesit të gjithësisë”, tha ai.
Sipas myftiut Tërnava, Festa e Kurban Bajramit në themele të saja ka sakrificën, barazinë, solidaritetin dhe mirësinë.
Në Arabinë Saudite, besimtarët myslimanë, të vaksinuar kundër koronavirusit, janë lejuar që të marrin pjesë në pelegrinazhin vjetor të Haxhit. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, as këtë vit u lejuan që besimtarët e huaj të marrin pjesë në këtë ceremoni.