Policia e Korçës ka ndarë detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë në Korçë, ku një person i armatosur është ngujuar në apartamentin e tij dhe ka qëlluar në ajër nga dritarja e banesës.
Sipas informacioneve paraprake, policia bën me dije se autori është identifikuar si shtetasi E. N., 71 vjeç, me probleme të shëndetit mendor.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka asnjë person të lënduar, ndërkohë që forcat e policisë kanë ngritur perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar banorët e zonës.
Në drejtim të vendit të ngjarjes po shkojnë shërbimet e Repartit Special RENEA, për të ndërhyrë për neutralizimin e të moshuarit.
“Sot, rreth orës 10:20, në lagjen nr. 16, dyshohet se shtetasi E. N., 71 vjeç, me probleme mendore, ka qëlluar me armë zjarri nga ballkoni i banesës së tij (në katin e parë të një pallati).
Shërbimet e Policisë vendore kanë ndërhyrë mënjëherë duke krijuar perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar banorët e zonës.
Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të lënduar.
Në drejtim të vendit të ngjarjes po shkojnë shërbimet e Repartit Special RENEA, për të ndërhyrë për neutralizimin e shtetasit E. N., i cili ka mbyllur derën e banesës.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë, me masa sigurie për jetën e tyre, po mbajnë të rrethuar banesën.
Aktualisht nuk ka asnjë rrezik për jetën e banorëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.