Vazhdojnë rezultatet jo të mira të Ulpianës. Në pesë xhirot e fundit ka tri disfata e dy barazime.
Të fundit e pësoi nga Drita në udhëtim, 3:1. Sipas trajnerit të skuadrës lipjanase, Edlir Tetova, problemi i së shtunën ka qenë fusha shumë e rënduar në Gjilan si dhe fondi i lojtarëve.
“Sot nuk mund të flas për futboll. U pa që edhe në fushën e lojës asnjëra skuadër nuk bënte pasime. Ishte ndeshje ‘merr topin dhe dërgoje sa më larg që mundesh’. Kjo ndikoi te skuadra ime më shumë dhe ishte ndeshje me episode. Nuk kishim mundësi të bënim zëvendësime për shkak edhe të lëndimeve”, tha Tetova.
Trajneri i skuadrës mysafire më tej vuri theksin te mungesa e fondit të lojtarëve, duke e përsëritur si sfidë në vete me të cilën po përballet e ‘atakohet’ skuadra në tërësi, e që po reflektohet në performancë.
“Penalltitë nuk i gjykoj sepse janë të tjerët që merren me këtë. Ne do të shohim mundësinë për t’u përforcuar në çdo repart. Kemi nevojë për freski. Lojtarët janë të konsumuar. Po të njëjtit luajnë 90 minuta në 18 ndeshje. Po të operojmë mirë do të kemi edhe rezultate në stinorin pranveror”, theksoi Tetova.