Deklarata e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, se qarkullimi i bizneseve në Kosovë ka arritur një rekord prej 10.7 miliardë eurove për 6 muajt e parë të vitit 2025, ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik.
Sipas Muratit, kjo shifër paraqet një rritje prej 10.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur qarkullimi ishte 9.7 miliardë euro. Ai theksoi se kjo është rezultat i politikave qeveritare për mbështetjen e bizneseve, përfshirë fondin për Garanci Kreditore, subvencionimeve, rritjen e fuqisë blerëse, etj.
Në një koment në statusin e Muratit, avokati Arianit Koci hodhi poshtë pretendimet e ministrit në detyrë të financave, duke ia bërë më dije se rritja e çmimeve e rritë edhe qarkullimin.
“Këtë e dinë edhe studentët e vitit të parë të ekonomisë. Sidoqoftë, qarkullimi nuk është tregues i mirëqenies”, shkroi ndër tjerash Koci.
Në një status të gjatë dhe kritik në rrjetet sociale, njohësi i politikave, Shenoll Muharremi ka vënë në dyshim arsyet prapa këtij “suksesi” të deklaruar nga qeveria, duke theksuar se rritja e qarkullimit nuk është rezultat i zhvillimit real ekonomik, por pasojë direkte e inflacionit dhe politikave anti-biznes, shkruan Klankosova.tv
Sipas Muharremit, rritja e çmimeve të produkteve bazë e ka bërë jetën më të vështirë për shumicën e qytetarëve, të cilët po e financojnë këtë “rritje” përmes borxheve dhe varfërimit të vazhdueshëm. Ai akuzon qeverinë për neglizhencë ndaj prodhimit vendor, bujqësisë dhe sektorit privat, ndërsa thotë se prioritet i saj mbetet marketingu politik.
Shenolli përmendi edhe largimin masiv të qytetarëve nga vendi si dëshmi të mungesës së shpresës për përmirësim të situatës ekonomike:
“A mos të kanë dalë jashtë vendit 37,000 persona vetëm vitin e kaluar që është ekonomia mirë?”, pyet Muharremi në statusin e tij.
Deputetja e LDK-së dhe ish-ministre e Financave, Hykmete Bajrami, reagoi poashtu ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për rritjen rekord të qarkullimit të bizneseve në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.
Përmes një reagimi të drejtpërdrejtë, Bajrami ironizoi Muratin si “ekonomist dhe interpretues të kushtetutës”, duke e akuzuar për keqinterpretime të realitetit ekonomik dhe për fshehje të faktorëve realë që kanë ndikuar në rritjen e qarkullimit.
Në fund të reagimit, deputetja shprehet e gatshme për një përballje publike me ministrin, për të debatuar mbi faktet dhe konceptet ekonomike që ai përdor në komunikimin e të dhënave fiskale dhe makroekonomike.
Përveç komenteve nga njohës të çështjeve ekonomike, qytetarë të shumtë kanë reaguar në rrjete sociale, duke e quajtur këtë deklaratë të pavërtetë, madje edhe qesharake, sipas disa komenteve.